Baldovaliev: Pres një ndeshje interesante dhe fitore për ne

Akademia Pandev gjatë ditës së nesërme në Shkup do të përballet me FC Shkupin në ndeshjen e parë të stinorit pranveror në elitën e futbollit vendor, njofton “infOSport.mk”.

Do të jetë kjo një ndeshjet më interesante të kësaj jave, ku e gjithë vëmendja do të përqëndrohet te prurjet e reja te skuadra nga Çairi, që ishte shumë aktive gjatë merkatos së janarit.

Në anën tjetër mysafirët nga Strumica nuk u treguan aktiv në merkato, mirëpo ato besojnë te grupi i futbollistëve që kanë dhe komponimi i skuadrës me në krye goleadorin, Zoran Baldovaliev, i cili në një prononcim për portalin tonë tha se pikërisht në këtë segment sheh edhe përparësinë e skuadrës së tij ndaj FC Shkupit, të cilës skuadër sipas tij i nevojitet kohë për të krijuar skeletin e ekipit, pas atyre transferimeve të shumta të bëra në merkaton e janarit.

“Mendoj se jemi përgatitur mirë për këtë ndeshje. E dimë që Shkupi ka transferuar shumë futbollistë, mirëpo mendoj se do ju duhet pak më shumë kohë për të krijuar skeletin e ekipit. Ne në këtë ndeshje futemi me forca të kontrolluara, kemi ekipin e njëjtë sikurse gjysmësezonin e parë, me disa ndryshime të vogla. Pres që kjo ndeshje të jetë shumë interesante dhe kuptohet fitore për ne. Ne si skuadër në çdo ndeshje luajmë për fitore, ashtu që kështu do të jetë edhe kësaj rradhe” – deklaroi enkas për “infOSport.mk” golashënuesi më i mirë në rradhët e Akademia Pandev, Zoran Baldovaliev.

Rikujtojmë ishte pikërisht Baldovaliev, ai i cili në ndeshjen e fundit  kishte mundur i vetëm FC Shkupin, duke shënuar dy gola në rrjetën e Suat Zendelit në fitoren 2:0 të Akademia Pandev. Ndërkohë ndeshja e zhvilluar në Çair në fillim të këtij sezoni aktual ishte mbyllur me barazimin 1:1.

Leave a Reply