Gostivari rikthehet te fitorja, Ilirid Ademi i vetëm mund Lokomotivën

Gostivari shumë shpejtë ka harruar disfatën e së shtunës nga transferta në Tetovë ndaj Teteksit, duke iu rikthyer fitores që në ndeshjen e sotme të javës së 21-të kundër Lokomotivës së Shkupit, njofton “infOSport.mk”.

Edhe pse ndeshja nuk nisi mirë për të besuarit e trajnerit Mensur Jakupi, ata në fund falë heroit të këtij takimi, Ilirid Ademi në fund iu gëzuan fitores.

Ademi realizoi të dy golat për Gostivarin, edhe atë që në pjesën e parë, më saktësisht në minutat 32-të dhe 40-të, duke zhvlerësuar në këtë mënyrë golin e parë të këtij takimi të shënuar nga futbollisti mysafir Lazar Peev (19’).

Në pjesën e dytë Gostivari edhe përkundër dominimit që kishte në fushën e blertë nuk arriti që të shënojë edhe ndonjë gol tjetër në rrjetën e skuadrës mysafire, në bankinën e së cilës sot debutoi trajneri Jovan Trajkov.

Me këtë fitore Gostivari mban hapin me Makedonija Gjorçe Petrovin dhe Vëllazërimin, me të cilën skuadër ndanë pozitën e dytë, që të dyja skuadrat me nga 40 pikë, një më pak se skuadra shkupjane që sot mundi Zajazin me rezultatin 3:1.

Leave a Reply