Shkëndija kampion për herë të dytë dhe sërish me Qaton në krye

Tetova sot është në festë, ndërsa kjo po ndodh për herë të dytë në historikun e kësaj skuadre, e cila rikthen titullin pas plotë 7 viteve, njofton “infOSport.mk”.

Ky titull është më i ëmbël për “kuqezinjtë” nga Tetova, të  cilët sot në përballjen ndaj FC Shkupit konfirmuan dominimin e tyre në elitën e futbollit vendor, ndërsa për këtë më së miri flet dallimi prej 26 pikëve ndaj rivalit të madhe, Vardarit, që sot u mund në Strumicë nga Pobeda me rezultatin 0:2.

Për herë të parë Shkëndija titullit kampion i ishte gëzuar në sezonin 2010/2011, kur sërish udhëhiqej nga Qatip Osmani. Me këtë të fundit Shkëndija frymoi ndryshe këtë edicion, ndërsa vendimi i drejtuesve “kuq e zi” për t’ia besuar skuadrën strategut tetovar doli të jetë i qëlluar, pasi me Qaton në krye, Shkëndija dinë  vetëm për tituj. Mundësinë e dytë Shkëndija dhe Qatip Osmani do të kenë edhe në ndeshjen finale të Kupës kundër Pelisterit, ku me triumf do të rrumbullaksonin një sezon të shkëlqyeshëm, duke e shkruar atë me shkronja të arta, pasi do të ishte hera e parë në historikun e tyre që do të rrëmbenin të dy titujt brenda një sezoni.

Leave a Reply