Tetova gati për festën “Kuq e Zi”

Shkëndija e Tetovës sot edhe zyrtarisht do të pranojë trofeun e titullit kampion, edhe pse një gjë të tillë kishte arritur që javë më parë.

Të besuarit e trajnerit Qatip Osmani do të mirëpresin Pelisterin në ndeshjen e fundit të kampionatit, sfidë kjo që starton në ora 16:15, ndërsa menjëherë pas përfundimit të saj, do të organizohet edhe ceremonia e ngritjes së titullit.

Festa më pas do të zhvendoset në sheshin “Iliria” të Tetovës, e cila për disa çaste do të shndërrohet në kryeqendrën e shqiptarisë, pasi aty pritet një festë e vërtetë “kuq e zi”, ashtu siç dinë të bëjnë vetëm “Ballistët”.

Me pjesëmarrjen e Elita 5 dhe shumë këngëtarëve tjerë, si: MC Kresha, Lyrical Son, P.I.N.T., Kastriot Tusha, Xhevdet Jashari, etj, pritet që festa e titullit të dytë për Shkëndijën në historikun e saj të zgjasë deri në orët e vona të mbrëmjes, nën një atmosferë spektakolare.

Shkëndija dominoi totalisht futbollin vendor, ndërsa më së miri për këtë flasin edhe trofetë e fituar me skuadrat e moshave të reja, ku skuadrat U19, U18 dhe U16 arritën që të triumfojnë edhe në kuadër të Kupës së Maqedonisë, ndërsa një gjë të tillë pritet të bëjë edhe skuadra e parë “kuqezi” që me 23 maj do të diskutojë titullin kundër Pelisterit në Strumicë.

Po ndaj skuadrës së njëjtë sot Shkëndija do të kërkojë fitoren e 29-të nga gjithsej 36 xhiro si dhe shifrën e 100 golave, duke  pasur parasysh se në 35 javë kampionat skuadra tetovare ka shënuar 97 gola dhe ka pranuar vetëm 27.

Leave a Reply