Sezoni i ri në Premierligë nis me super derbin Arsenal-Mançester Siti (FOTO)

Sezoni i ri në Premierligën angleze do të hapet me super derbin Arsenal – Mançester Siti në “Emirates Stadium”. Do të jetë kjo ndeshja e parë e trajnerit Unaj Emeri në Premierligë dhe ndeshja e parë e “topçinjëve” pas erës “Venger”.

Mirëpo starti i sezonit të ri në Premierligë do të jetë shumë i vështirë, pasi Arsenalin e tij një ndeshje e vështirë e pret edhe në kuadër të javës së dytë, kur do të jenë mysafir të Çelzit në ‘Stemford Brixh’.

Nënkampionët e Mançester Junajtedit sezonin e ri do ta nisin me ndeshjen kundër Lesterit si vendas, Totenhami do të ketë një transfertë të vështirë ndaj Njukasëll Junajtedit. Skuadra finaliste e Ligës së Kampionëve Europian, Liverpulli, kampanjën e re do ta nis në teren vendas kundër Uest Hamit, teksa Çelzi do të jetë mysafir i Hadersfilldit.

Dy skuadrat e reja në Premierligë, Vulverhemptoni dhe Fulhami do të startojnë kampionatin si vendas kundër Evertonit, gjegjësisht Kristal Pallasit, ndërkohë Kardif Siti do të jetë mysafir i Burnmautit.

Sezoni i ri në Premierligë starton me 11 gusht, vetëm 27 ditë pas përfundimit të Kampionatit Botëror. Sezoni 2018/2019 në Premierligë mbyllet me 19 maj të vitit 2019-të.

Ashtu edhe si çdo vjet, para startit të Premierligës në program është ndeshja e Superkupës, e njohur ndryshe si “Kjomuniti Shild”. Më 5 gusht në “Uembli” përballë njëri tjetrit do të dalin Mançester Siti dhe fituesi i FA Kupës, Çelzi.

Leave a Reply