Brazil-Zvicër, formacionet e mundshme dhe gjithçka tjetër për këtë supersfidë

Dita e katërt e Kupës së Botës, do të sjellë një tjetër supersfidë, pasi në “Rostov Arena” do të luhet ndeshja mes Brazilit dhe Zvicrës, skuadra këto që dinë të luajnë një futboll të bukur dhe aspak të mërzitshëm.

Si Brazili, ashtu edhe Zvicra shihen si skuadrat favorite për të kaluar në fazën tjetër, duke qenë se dy ekipet tjera në grup, janë Serbia dhe Kosta Rika. Kur kanë mbetur dhe disa orë nga fillimi i ndeshjes, po ju sjellim një përmbledhje se si do të paraqiten skuadrat në këtë takim.

BRAZILI

Kombëtarja braziliane vjen në këtë takim si favorit kryesor për të fituar jo vetëm ndeshjen, por edhe Botërorin duke qenë se ka një grup me futbollistët më të mirë të momentit.  Në fakt, kujtimet nga Botërori i kaluar janë të tmerrshme për Brazilin, duke qenë se eliminohej në shtëpi nga Gjermania me rezultatin 7-1, megjithatë në ndeshjet e fundit kualifikuese, “Seleçao” ka treguar se i ka lënë pas ato kujtime.

Në fazën e grupeve gjatë eliminatoreve, Brazili arriti 12 fitore në 18 ndeshe, duke humbur vetëm në njërën prej tyre, megjithëse në grup kishte ekipe si Uruguai, Argjentina apo Kili. Mesatarja e golave të shënuar nga skuadra e Tites, është realisht e frikshme, duke qenë se brazilianët shënojnë mesatarisht 2.27 gola për ndeshje.

Fitorja 3-0 e Brazilit në miqësoren e fundit ndaj Austrisë, ishte vetëm fitorja e radhës, duke qenë se në 11 takimet e fundit, ata kanë grumbulluar 8 fitore dh vetëm 3 barazime.

ZVICRA

Zvicra vjen nga një ecuri mjaft e mirë, duke qenë se në fazën e grupeve ka arritur të marrë 9 fitore dhe vetëm një humbje përballë Portugalisë në javën e fundit, duke shënuar 23 gola dhe pësuar vetëm 7.

Në 6 ndeshjet e fundit miqësore, Zvicra ka fituar 3 prej tyre dhe ka barazuar 3, duke pësuar vetëm një gol në këto takime, pikërisht ndaj Spanjës në barazimin 1-1. Mbrojtja është një ndër armët më të forta të kombëtares Helvete, duke qenë se në 35 ndeshjet e fundit, ata kurrë nuk kanë pësuar më shumë se 2 gola.

FUTBOLLISTËT

Sa i përket skuadrave, Brazili i ka futbollistët të shpërndarë në klubet më elitare në Europë dhe janë ndër më të mirë, duke kaluar një formë relativisht të mirë. Maja e sulmit brazilian, udhëhiqet nga sulmuesi i PSG-së, Nejmar i cili ka shënuar 55 gola në 85 takime, por edhe në mungesë të tij, Brazili ka lojtarë si Kutinjo, Gabriel Jesus, Fiminjo apo Uillian.

Shpesh herë, Zvicra ka marrë kritika për skuadrën, duke qenë se loja e tyre bazohet më shumë të sulmuesi shqiptar, Xherdan Shaqiri megjithëse dhe pjesa tjetër e skuadrës është me kualitet. Xhaka, Lishtajner, Embolo apo edhe portieri Sommer janë lojtarë të cilët mund të kenë fuqinë për të bërë surprizë.

FORMACIONET E MUNDSHME

PËRBALLJET DIREKTE

historia e përballjeve direkte, nuk flet për asnjërën skuadër, duke qenë se fati i ka vendosur 3 herë përballë njëra-tjetrës. Në vitin 2006, Brazili ka fituar në një miqësore ndaj Zvicrës me rezultatin 2-1, ndërkohë që në vitin 2013, fitonte Zvicra 1-0 po në ndeshje miqësore. Vetëm një ndeshje është luajtur në versionin zyrtare mes këtyre dy skuadrave, që daton më 1950 në Botëror dhe mbyllej 2-2. (Vipsport.al)

Leave a Reply