Manevski vazhdon karrierën në elitën e futbollit kosovar

Sulmuesi veteran Borçe Manevski karrierën e tij ka vendosur ta vazhdojë në Superligën e Kosovës, njofton “infOSport.mk”.

Sulmuesi me origjinë nga Manastiri që së fundmi mbonte ngjyrat e Pelisterit ka vendosur ti bashkohet skuadrës së Ballkanit nga Suharreka, që sezonin e ri do të luaj në mesin e më të mirëve.

Ballkani sezonin e kaluar në Ligën e Parë të Kosovës u rendit në pozitën e dytë, menjëherë pas KEK-ut, duke siguruar kualifikimin e drejtëpërdrejtë për në elitë. Me Manevskin në sulm, ata kanë përfituar një sulmues klasi, bazuar në përvojën e tij shumë vjeçare, si në kampionatin e Maqedonisë, ashtu edhe jashtë tij.

Manevski përveç Pelisterit, për të cilën skuadër sezonin e fundit në 12 ndeshje realizoi 4 gola, në Maqedoni gjithashtu ka luajtur edhe për Pobedën, Rabotniçkin, Vardarin dhe Milanon e Kumanovës, ndërkohë sa i përket karrierës ndërkombëtare, ai kishte luajtur në Poloni, Serbi, Tajlandë dhe Maltë, transmeton “infOSport.mk”.

Në elitën e futbollit në Maqedoni, Manevski ka zhvilluar 131 ndeshje, duke realizuar edhe 59 gola, pjesën më të madhe me ekipin e Rabotniçkit.

Leave a Reply