“Shqipëria B” mund Serbinë (VIDEO)

Përfaqësuesja e Zvicrës, apo më mirë thënë “Shqipëria B” mundi Serbinë me rezultatin 2:1 në ndeshjen e  grupit “E”, duke bërë një hap të madh drejt kualifikimit për në fazën e dytë, njofton “infOSport.mk”.

Hero të përfaqësueses zvicerane në këtë ndeshje ishin dy futbollistët shqiptarë, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, të cilët shënuan dy golat e fitores.

Serbia avansoi vetëm pas 5 minutave lojë me anë të sulmuesit Aleksandar Mitroviç, i cili me kokë shënoi një super gol pas asistit të Dushko Tadiç.

Ky ishte edhe goli i vetëm i shënuar gjatë 45 minutave të para, ndërsa vetëm pas 7 minutave lojë në pjesën e dytë, Zvicra barazoi shifrat në 1:1 falë një super goli të shënuar nga ana e futbollistit shqiptarë, Granit Xhaka.

Ky i fundit ndezi atmosferën në stadiumin në Kaliningrad, duke festuar me shqiponjë, dhe duke treguar rrënjët e tij të vërteta, edhe përkundër faktit se mbron ngjyrat e përfaqësueses së Zvicrës.

Që festa të jetë edhe më e madhe kontribuoi shqiptari nga Zhegra e Kosovës, Xherdan Shaqiri, i cili në minutën e parë shtesë të takimit shënoi edhe golin e dytë për Zvicrën, duke i siguruar fitoren e madhe skuadrës së tij. Njëjtë sikurse Xhaka, edhe Shaqiri festoi me shqiponjë, duke bërë krenar çdo shqiptarë në mbarë Botën.

Me këtë fitore Zvicra barazohet me Brazilin, që të dyja kombëtaret me nga 4 pikët në dy pozitat e para në tabelë, teksa Serbia mbetet në pozitën e tretë me 3 pikë.

 

Leave a Reply