FC Shkupi ndeshjen ndaj Pobedës në Çair do ta zhvillojë të shtunën

Ndeshjen e parë të sezonit të ri si vendas në stadiumin e Çairit, FC Shkupi do ta zhvillojë të shtunën. Të përzgjedhurit e trajnerit Zekirja Ramadani në kuadër të xhiros së dytë do të mirëpresin Pobedën e Prilepit, Fillimisht kjo ndeshje ishte paraparë të zhvillohet të dielën në terminin e zakonshëm prej orës 17:00, mirëpo për shkak ndeshjeve të Kupës me kërkesë të FFM-së, ishte vendosur që e njëjta të zhvillohet një ditë më herët.

Një kërkesë të këtillë nga ana e Shtëpisë së futbollit në vend ishte pranuar nga ana e drejtuesve dhe stafit teknik të skuadrës nga Çairi, që përballë Pobedës do të kërkojnë fitoren e parë në sezonin e ri.

Rikujtojmë FC Shkupi në ndeshjen e xhiros së parë kishte barazuar në transfertën në Kratovë ndaj Sileksit (1:1), ndërsa Pobeda si vendas në Manastir kishte mundur Bellasicën minimalisht 1:0.

FC Shkupi në kuadër të raundit të parë të Kupës së Maqedonisë do të përballet me ekipin e Kit Go në Pehçevë të mërkurën (22 gusht), ndërsa po të njëjtën ditë Pobeda do të jetë mysafir i Struga Trim Lum.

Leave a Reply