UEFA nominon tre më të mirët, Messi jashtë garës

Kristiano Ronaldo, Luka Modriç dhe Mohamed Sallah do të diskutojnë mes tyre çmimin e “Futbollistit më të mirë të vitit” nga UEFA.

Qeveria e futbollit europian ka përzgjedhur këto 3 emra, që njëherit ishin pjesë e finales së madhe të Ligës së Kampionëve të edicionit të kaluar, me Ronaldon dhe Modriçin që në fund ngadhnjyen ndaj Liverpullit të Mohamed Sallah me rezultatin 3:1.

Tre kandidaturat e pritshme u përzgjodhën nga një komision i përbërë nga 80 trajnerë të Ligës së Kampionëve dhe Liga Europa, si dhe 5 gazetarë të federatave anëtare të UEFA-s.

Çmimi që do të përcaktojë më të mirin e kontinentit do të zbulohet në një ceremoni, që do të zhvillohet më 30 gusht në Principatën e Monakos, aty ku do të ndahen edhe çmimet për portierin, mbrojtësin, mesfushorin si dhe sulmuesin më të mirë.

Ndryshe pas treshes Ronaldo, Modriç, Sallah, u renditën Grizman, Messi, De Brujne, Varane, Hazard dhe Ramos.

Rikujtojmë Ronaldo këtë çmim gjatë karrierës së tij e ka fituar tre herë të plota, edhe atë gjatë viteve 2014, 2016 dhe 2017, ndërsa Modriç dhe Sallah kërkojnë që ta fitojnë për herë të parë.

Gjithashtu do të votohet edhe futbollisti më i mirë i edicionit të kaluar në Liga Europa, ku të nominuar janë Diego Godin dhe Antuan Grizman nga rradhët e skuadrës kampione të këtij kompeticioni, Atletiko Madridit, si dhe Dimitri Paje nga skuadra finaliste e Olimpik Marsejës.

Për çmimin e portierit më të mirë në garë do të jenë Bufon, Alison dhe Kejllor Navas,  për mbrojtësin më të mirë do të luftojnë tre futbollistët e Realit të Madridit, Marselo, Ramos dhe Varane, si mesfushor më të mirë do të garojnë De Brujne, Kros dhe Modriç, teksa më i miri sulmues do të zgjidhet në mes të Messit, Ronaldos dhe Sallah.

Leave a Reply