Taulant Seferi i gatshëm për të zëvendësuar Roshin te Kombëtarja shqiptare

Futbollisti kumanovar që mbron ngjyrat e Kombëtares shpresa të Shqipërisë, Taulant Seferi e sheh veten të gatshëm për të bërë atë hapin e madh dhe për t’iu bashkuar Kombëtares së Madhe që drejtohet nga italiani, Kristian Panuçi.

Seferi që aktualisht luan si ihuazuar nga Jang Bojsi me skuadrën e Vinterturit, një gjë të tillë tha në një prononcim për portalin “Vipsport.al”, duke potencuar edhe formën e mirë dhe golat që po shënon me skuadrën e tij të re.

“Kampionati? Aventura ime me skuadrën e re në Zvicër, po ecën shumë mirë, pasi po shënoj edhe gola e jam futur në rrugën e duhur, duke qenë se nuk më mungon as ritmi i lojës. Nuk e di se çfarë ka në mendje trajneri Kristian Panuçi, por unë e ndjej veten në formë të mirë.

Kombëtarja? Gjithmonë, ashtu siç kam qenë do të vazhdoj të jem i gatshëm për ngjyrat kuqezi, pavarësisht vendimeve që mund të marrë trajneri. Mungesat e Roshit dhe Sadikut janë një humbje e madhe për Shqipërinë, por unë mund ta zëvendësoj në formacion si Roshin që luan në të njëjtin pozicion me mua, ashtu edhe Sadikun në sulm megjithatë është trajneri ai që vendos.

Shpresat? Them se do të ndihet mungesa e lojtarëve senatorë që kanë qenë vitet e fundit aty, por gjenerata që po rritet është shumë premtuese  dhe kanë një ekip shumë të mirë. Pavarësisht mungesave, them se edhe Shpresat do të kenë sukses dhe këtë gjë i uroj atyre”, është shprehur Seferi.

Leave a Reply