Shkëndija-Bellasica sot për herë të parë takohen në kuadër të LPFM-së

Shkëndija dhe Bellasica gjatë ditës së sotme do të zhvillojnë ndeshjen e fundit në kuadër të javës së tretë në elitën e futbollit vendor, njofton “infOSport.mk”.

Njëherit do të jetë kjo ndeshja e parë që këto dy skuadra do ta zhvillojnë në kuadër të Ligës së Parë Futbollistike të Maqedonisë, pasi deri më tani numërojnë vetëm dy ndeshje zyrtare, edhe atë në kuadër të Ligës së Dytë gjatë vitit 2010-të.

Asaj kohe në të dyja ndeshjet Shkëndija kishte shënuar fitore 2:0, duke siguruar në fund kualifikimin në Ligën e Parë, ku më pas në sezonin pasardhës Shkëndija të fitonte titullin e parë në histori si kampion në Maqedoni. Ndryshe dy skuadrat në tetor të vitit 2015 zhvilluan një ndeshje miqësore në Strumicë, në të cilën Shkëndija fitonte bindshëm 6:0.

Sa i përket sezonit të ri, të dyja skuadrat nuk e filluan edhe aq mbarë me Shkëndijën që arriti dy barazime nga po aq ndeshje dhe Bellasicën që pësoi në dy ndeshjet e para, fillimisht 1:0 nga Pobeda në Manastir, pastaj 0:2 në derbin e Strumicës nga Akademia Pandevi.

Shkëndija-Bellasica zhvillohet sot në stadiumin e qytetit në Tetovë me fillim në orën 16:30, ndërsa hyrja për publikun është pa pagesë.

Leave a Reply