LPFM–Java V, Shkëndija luan tenis me Rabotniçkin, humbin Shkupi dhe Renova

Janë mbyllur ndeshjet e javës së 5-të në Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë, ku skuadra kampione e Shkëndijës tregoi lojën më të mirë të deritanishme këtë sezon, duke demoluar liderin e para kësaj jave, Rabotniçkin me rezultatin 6:2, njofton “infOSport.mk”.

Fillimi i ndeshjes nuk paralajmëroi një rezultat të këtillë, pasi vetëm pas 10 minutave lojë, “romantikët” avansuan me golin e shënuar nga sulmuesi i tyre më efikas, Petar Petkovski. Ky gol vetëm sa nervozoi futbollistët e Shkëndijës, të cilët në një interval kohor prej vetëm 4 minutash shënuan 3 gola, për të mbyllur pjesën e parë me epërsinë 3:1. Gledi Mici (36’), Besart Ibraimi (38’) dhe Besmir Bojku (40’) shënuan gjatë pjesës së parë, ndërsa në të dytën bomberi kërçovar shënoi edhe dy gola të tjerë, teksa një gol tjetër pikërisht pas asistit të Ibraimit realizoi edhe Armend Alimi.

Golin e vetëm dhe ndoshta më të bukurin të takimit për Rabotniçkin në pjesën e dytë e realizoi, kapiteni Ostoja Stjepanoviç.

Një fitore për tu rikthyer në krye të tabelës realizoi edhe Akademia Pandev, që me rezultatin 3:0 mundi Sileksin, Vardari falë dy golave të shnëuar në pjesën e dytë përmbysi epërsinë e FC Shkupit pas golit të shënuar nga Serzhinjo në pjesën e parë, teksa Pobeda falë golit të shënuar nga Burhan Mustafov që në minutën e 10-të mundi minimalisht 1:0 Renovën.

Ndeshja e vetme e javës së 5-të që u mbyll pa gola, ishte ajo në Shkup midis Makedonija Gjorçe Petrovit dhe Bellasicës.

LPFM, Java V
A. Pandev 3 – 0 Sileksi
Makedonija Gj.P 0 – 0 Bellasica
Pobeda 1 – 0 Renova
Shkëndija 6 – 2 Rabotniçki
Vardari 2 – 1 FC Shkupi

Leave a Reply