Nuk mjafton super goli i Rashicës (VIDEO)

Përfaqësuesja e Kosovës nuk ka shkuar më shumë se një barazim 1:1 në ndeshjen kundër Ishujve Faroe në kuadër të Ligës së Kombeve, njofton ‘infOSport.mk’. Pas super paraqitjes ndaj Maltës dhe fitores 3:1 në Prishtinë, sonte djemtë e trajnerit Çallandes stagnuan, duke mos arritur që të mundin edhe një kombëtare modeste si Ishujt Faroe, duke lënë të hapur ende çështjen e pozitës së parë në grupin e tretë të Ligës ‘D’.

Ndryshe ndeshja nisi mjaft mirë për përfaqësuesen e Kosovës që avansoi me super golin e Milot Rashicës që në minutën e 9-të. Futbollisti i Verder Bremen shënoi një gol jashtëzakonisht të bukur ndaj Ihsujve Faroe, të cilët barazimin e gjetën vetëm pas 5 minutave lojë në pjesën e dytë, kur Rene Joensen arriti që të mposht portierin Ujkani për barazim të rezultatit në 1:1.

Lajm i mirë për “Dardanët” është se edhe rivali i tyre i drejtëpërdrejtë për pozitën e parë, Azerbajxhani kishte barazuar 1:1 në shtëpi ndaj Maltës, kështu që Kosova vazhdon të kryesojë grupin me 8 pikë, dy më shumë se Azerbajxhani, me të cilën kombëtare me 20 nëntor në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë do të diskutojnë pozitën e parë.

Vetëm tre ditë më herët (17 nëntor), Kosova do të zhvillojë edhe ndeshjen e fundit  në transfertë ndaj Maltës.

Leave a Reply