I dha i pari lamtumirën Shqipërisë, ylli i Kosovës mes më të mirëve në Ligën e Kombeve

Vera e vitit 2016 shënoi jo vetëm suksesin më të madh në historinë e përfaqësueses së Shqipërisë por edhe ndarjen e saj të plotë nga Kosova, me shumë lojtarë që kishin veshur fanellën kuqezi që vendosën të vishnin në vazhdim atë blu. I pari ishte Herolind Shala, i cili u përball me kritika të shumta për zgjedhjen e tij, e që u ndoq më pas nga futbollistë të tjerë.

Mesfushori kishte qenë vazhdimisht pjesë e përfaqësues shqiptare dhe kishte luajtur me të në disa ndeshje miqësore, por në fund mbeti jashtë grupit të lojtarëve që udhëtuan drejt Francës. Shumëkush e cilësoi Shalën si një futbollist që nuk do të arrinte të bënte diferencën te Shqipëria dhe zhgënjimet e njëpasnjëshme në karrierën në klub në këto dy vite, lanë të mendohej se ai parashikim kishte qenë i drejtë.

Por në këtë edicion të Ligës së Kombeve, Shala po kthehet pak nga pak në një prej lojtarëve kyç të mesfushës së Kosovës në rrugëtimin e saj që po shtyn këtë përfaqësuese drejt Euro 2020. Futbollisti që luan para mbrojtjes, është ai nga i cili lindin të gjitha aksionet sulmuese të Kosovës dhe për këtë arsye, është pika e pasimit të shumë shokëve të skuadrës, duke u bërë një nga yjet e këtij edicioni të Lugës së Kombeve sa u përket pasimeve.

Kështu, sipas statistikave zyrtare të UEFA-s, Shala është lojtari i tretë në listën e atyre që kanë kompletuar më shumë pasime deri tani. Mesfushori ka regjistruar 253 pasime në katër ndeshjet e deritanishme, i lënë pas vetëm nga dyshja e Azerbajxhanit, Riçard Almejda (298) dhe Gara Garajev (276). Me sa duket largimi i Milot Rashicës në verën e vitit 2016 nga Shqipëria nuk ishte humbja më e madhe e përfaqësues kuqezi. (vipsport.al)

Leave a Reply