“Brexit”, klubeve angleze u përgjysmon futbollistët e huaj

Akordi i qeverisë britanike për të finalizuar “Brexit”, daljen nga Bashkimi Europian, do të jetë një goditje shumë e rëndë edhe për klubet e Premierligës. Mediat britanike kanë mësuar se me legjislacionin e ri, do të kërkohet kthimi të kufizimi i ndjeshëm i numrit të futbollistëve të huaj.

“The Times” bën të ditur se 20 klubeve do t’u bëhet i njohur propozimi nga Federata Angleze për të ndryshuar shumë shpejt rregulloret, pasi të paktën gjysma e futbollistëve në çdo skuadër duhet të jenë prodhim vendas.

Sipas planit paraprak, numri i futbollistëve të huaj do të reduktohej maksimumi në 12 lojtarë për çdo 25-she të regjistruar për kampionatin.

Sigurisht, nuk bëhet fjalë për një plan afatshkurtër, por afatmesëm, që të mos prishë punë me kontratat ekzistuese. Por parashikohet që brenda 5-6 viteve të ardhshme, kjo të finalizohet, duke detyruar klubet e mëdha që të mos bëjnë shpenzime të çmendura për një numër shumë të madh të huajsh siç ndodhte rëndom në vitet e fundit e normalisht duke ulur paksa interesin për këtë kampionat, transmeton “Vip Sport”.

Klubet e Premierligës nuk kanë se si e refuzojnë një gjë të tillë, pasi kjo do të jetë pjesë e akordit që të evitojë procedurat burokratike të lejeve të punës.

Klubet do t’i kërkojnë Federatës që të mbetet në fuqi ligji që lojtarët nga vendet e Bashkimit Europian, të mos kenë nevojë për leje pune, siç ndodh për lojtarët ekstrakomunitarë.

Leave a Reply