Valverde pavarësisht super golit, paralajmëron Dembelen

Trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde, pranon se Usmane Dembele nuk është në rregull sa duhet, pavarësisht faktit se shënoi atë super gol në barazimin 1:1 ndaj Totenhamit në kuadër të Ligës së Kampionëve.

Francezi ishte gjobitur me 100 000 euro këtë javë, sepse u kthye dy orë me vonesë në një seancë trajnimi, të dielën, pas fitores 4:0 ndaj Espanjollit.

Dembele iu përgjigj kritikëve të tij me një gol “solo” brenda shtatë minutave në “Kamp Nou”, por Valverde nuk është gati ta konsiderojë ende të “rehabilituar”: ‘Dembele shënoi një gol të madh, i mundshëm vetëm për lojtarët me talentin e tij. Ne jemi të lumtur me të. E kemi thënë se gjatë gjithë sezonit ndodhin gjëra, që përpiqemi t’i zgjidhim brenda për brenda. Shpresojmë që ai dhe pjesa tjetër e skuadrës të vazhdojnë të na japin shumë gëzime. Nuk e di nëse çështja është e mbyllur, nesër kemi stërvitje’.

Me Barcelonën, që e kishte siguruar vendin e parë në Grupin B, Valverde bëri shtatë ndryshime në formacionin kundër “Spërsave”, krahasuar me fitoren e fundjavës në La Liga ndaj Espanjollit.

Luis Suarez dhe Zherard Pike ishin ndër futbollistët që munguan mbrëmë, ndërsa Lionel Messi e nisi nga stoli dhe luajti vetëm 27 minutat e fundit.

Lidhur me këto ndryshime në kuadër, Valverde tha: ‘Është më mirë që Messi të luajë për një kohë dhe të jetë në lëvizje. Ai e pëlqen këtë. Ka pasur futbollistë që nuk ishin në fushë sonte, sepse kemi pasur një ndeshje të fortë tre ditë më parë. Ne dëshironim të shihnim futbollistë si Alena dhe Miranda në situata të vështira, si dhe të merrnim përgjigjen e Jasper Sillessen, Tomas Vermaelen, Artur dhe Munir. Nuk deshëm ta humbnim nivelin tonë konkurrues ndaj një ekipi shumë të fortë.’

Leave a Reply