Historia e dhimbshme e Nejmarit: S’kishim para të blinim as biskota!

Nejmar ëndërronte që si fëmijë të bëhej futbollist, për t’u bërë i pasur dhe më pas të blinte një fabrikë biskotash.

Ylli brazilian ka dhënë një intervistë interesante për Thiago Nigro, një personazh i çuditshëm i cili është bërë i pasur me anë të ‘YouTube’ dhe u jep këshilla njerëzve si të pasurohen, në faqen “O Primo Rico” në Youtube, aty ku është publikuar edhe intervista me Nejmar.

Nejmar rrëfeu vitet e fëmijërisë, duke zbuluar në familjen e tij nuk e kishin luksin as të blinin biskota, ndaj ishte fiksuar që të blinte një fabrikë të tërë kur të rritej.

“Mamaja ime atë ditë u mundua të më ngushëllonte dhe ende sot ia plas të qarit, kur e kujton atë episod”, – thotë Nejmar, i cili jetonte në një shtëpi të vogël me 8 persona të tjerë, ku mundësitë financiare ishin shumë të kufizuara.

“Nuk kisha mundësi as të shkoja në kinema me shokët, por babai im më ka thënë gjithnjë që të qëndroj i qetë, sepse në të ardhmen do të shpërblehesha”.

Nejmar, paratë dhe babai

Tani Nejmar ka lënë pas gjithçka, merr 30 milionë euro në vit dhe është ndër sportistët më të pasur në planet, ndërsa babai i tij kujdeset për administrimin e të ardhurave.

“Gjithçka administrohet nga babai im, ai kujdeset në mënyrë perfekte dhe kjo gjë më jep qetësi, për të luajtur futboll pa e pasur mendjen gjetkë. Ka persona që kanë këshilltarë, por unë kam vetëm babain tim dhe kam besim të plotë tek ai”.

Administrimi i parave nuk është i lehtë për familjen Neymar: “Mbaj mend, para 15 vitesh pak a shumë, babai im fitoi rreth 50 mijë euro në lotari. Ishte alamet shifre, por për dy muaj u harxhuan të gjitha, duke blerë gjëra që nuk i kishim pasur kurrë në jetën tonë”.

Leave a Reply