Kosova në mars përballet me ish kampionët e Europës


Një ish-kampione e Evropës do të shtohet në listën e kundërshtareve më të fuqishme të përfaqësueses së Kosovës në futboll, shkruan sot Koha Ditore.

Është përfaqësuesja e Danimarkës me të cilin pritet të takohet Kosova në mars të vitit të ardhshëm, në terminin gjatë të cilit është e obliguar të luajë një miqësore ndërkombëtare (21-23 mars). Marrëveshja mes Federatës së Futbollit të Kosovës dhe asaj daneze është pranë finalizimit.

Kosova, njëjtë si edhe katër përfaqësuese të tjera evropiane, është e obliguar të luajë miqësore në mars, para se të nisë kualifikimet për “Euro 2020”. Termini për ndeshjet e para kualifikuese është 21-23 mars, ndërsa në këtë termin Kosova është e lirë. Dhe që gara të jetë më e barabartë, UEFA ka paraparë që në të gjithë terminët të gjitha përfaqësueset të kenë ndeshje. Pos Kosovës në terminin e parë, ndeshje kualifikuese nuk kanë edhe Gjermania, Uellsi, Danimarka e Serbia.

Uellsi ka njoftuar më herët se do të luajë miqësore me Trinidad & Tobagon më 20 mars në Vreksam. Federata e Gjermanisë të premten ka njoftuar se përfaqësuesja e saj do të luajë ndaj Serbisë më 20 mars në Volfsburg.

Kështu kundërshtari i vetëm i mundshëm evropian i Kosovës është ekipi përfaqësues i Danimarkës, me të cilin marrëveshja është pranë finalizimit.

Leave a Reply