Ndryshon shorti i Ligës së Kampionëve!

UEFA ka zbuluar se më 15 mars do të hidhet shorti i ndeshjeve çerekfinale të Ligës së Kampionëve Europian.

Risia është fakti se do të mësohen edhe kundërshtarët e mundshëm në gjysmëfinale.

Institucioni më i rëndësishëm i futbollit ka njoftuar se do të ketë short edhe për finalen, por kjo bëhet vetëm për të përcaktuar cila do të jetë skuadra pritëse në finalen e Madridit.

Shorti në çerekfinale është i lirë dhe të gjitha skuadrat mund të ndeshen me njëra-tjetrën, pa kufizime.

Ndërkohë kështu ishte vepruar edhe më parë për sa i përket gjysmëfinales, por tani UEFA ka vendosur t’i përcaktojë ato që më parë.

Rikujtojmë deri më tani një vend për në ndeshjet çerekfinale kanë siguruar, Ajaksi, Porto, Totenhami dhe Mançester Junajtedi, që bëri edhe befasinë më të këndshme në fazën e deritanishme, duke eliminuar “sheikët” e Paris Sen Zhermen.

Ndërkohë 4 skuadrat e rradhës çerekfinaliste do të mësohen vetëm gjatë mesjavës që vjen, me 12 dhe 13 mars, kur në program janë edhe 4 përballjet e fundit, me çiftet si në vijim: Mançester Siti –Shalke 04, Juventus – Atletiko Madrid, Barcelona – Lion dhe Bajern Munih – Liverpull.

Leave a Reply