Të premten shorti i Ligës së Kampionëve

Të premten me fillim nga ora 12:00, do të bëhet tërheqja e shortit të Ligës së Kampionëve për fazën e ndeshjeve çerekfinale.

Janë plotë 8 skuadra që me padurim presin këtë short, në mesin e të cilave edhe dy skuadrat e fundit, Liverpulli dhe Barcelona, që mbrëmë eliminuan Bajernin e Munihut, gjegjësisht Lionin.

Për herë të parë pas një dekade po ndodh që në fazën çerekfinale të kualifikohen plotë 4 skuadra angleze. Përveç Liverpullit, më herët në mesin e 8 skuadrave më të mira europiane ishin kualifikuar edhe Mançester Siti, Mançester Junajtedi dhe Totenhami, ndërsa këtu bëjnë pjesë gjithashtu edhe Ajaksi, Barcelona, Juventusi dhe Porto. Në këtë fazë, të gjithë skuadrat kanë të drejtë të përballen mes vete, përfshirë këtu edhe ato angleze.

Ndeshjet e para çerekfinale janë paraparë të zhvillohen me datë 9/10 prill, ndërsa ato kthyese me 16/17 prill.

Leave a Reply