Liga e Kampionëve, grupi “G”, Lioni përballë Zenitit, Benfika mirëpret gjermanët e Lajpcig

Grupi “G” i Ligës së Kampionëve është mjaft i balancuar. Shorti ka bashkuar skuadra të cilat nuk kanë shumë diferenca nga njëra-tjetra dhe do të luftojnë deri në fund për kualifikimin. Në këtë grup bëjnë pjesë Lioni, Zeniti, Benfika dhe Lajpcigu.

Në mbrëmjen e sotme, Lioni do të presë në Francë Zenitin. Bilanci mes dy klubeve është pa shumë diferenca teksa Lioni ka fituar tre, barazuar dy dhe është mposhtur tre herë.

Ndërkaq, ky nuk është një moment i mirë për Lionin, teksa nuk njohin triumf në tre ndeshjet e fundit në kampionat. Edhe shifrat në shtëpi nuk janë në anën e francezëve pasi në Ligën e Kampionëve, Lioni ka fituar vetëm një nga dhjetë ndeshjet e fundit, teksa ka barazuar pesë e humbur katër.

Ndërkohë, Zeniti vjen pas një ecurie pozitive me vetëm një disfatë në nëntë ndeshje, teksa edhe në Ligën e Kampionëve kanë bilanc pozitiv për ndeshjet jashtë shtëpisë.

Rusët në 16 ndeshjet e fundit kanë fituar nëntë dhe kanë humbur shtatë, ndërsa në përballjet me ekipe franceze kanë humbur dy dhe fituar vetëm një.

Ndërkaq, në sfidën tjetër të grupit, Benfika pret Lajpcigun. Portugezët nuk kanë memorie të mira nga përballjet me gjermanët teksa në sezonin e kaluar u mposhtën dy herë nga Bajerni, ndërsa në Ligën e Europës u eliminuan nga Ajntrahti i Frankfurtit. Ndërkaq, për Lajpcigun kjo do të jetë pjesëmarrja e dytë në histori në Ligën e Kampionëve. (VipSport.al)

Leave a Reply