Besart Ibraimi: Të konfirmojmë përmirësimin kundër Makedonija GJ.P

Të dielën në lagjen Gjorçe Petrov të Shkupit Shkëndija e Tetovës si mysafire përballet me Makedonija Gj.P. në takimin e vlefshëm për xhiron e 12-të në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë së Veriut. Kuqezinjtë këtë sezon janë përballur me krizë rezultatesh dhe paraqitje nën nivelin e kualitetit që posedojnë tetovarë. Prej tre javësh në pankinën e Shkëndijës u ul tekniku nga Tirana, Ernest Gjoka dhe pas debutimit me humbje nga Akademia Pandev, xhiron e fundit tetovarët mundën 3:0 Sileksin duke dhënë shenja se ngadalë kthehen në rritmin e dëshiruar.

“Përfundimisht paraqitja me Sileksin ishte një prej më të mirat kohëve të fundit dhe mendoj se kemi dhënë sinjale se ngadalë dalim prej krize dhe gjejmë formën e duhur. Luajtëm mirë,  krijuam raste dhe shënuam tre gola edhe pse mundeshim edhe më mirë” shprehet njëri prej lojtarët më të mirë të Shkëndijës, Besart Ibraimi i cili paralel me ekipin duket se dalëngadalë kap rritmin e dëshiruar, duke ditur se forma e tij u ndikua direkt nga pazua e gjatë pas operimit të ligamenteve të kryqëzuara në fund të vitit të kaluar. Numri ‘7’ i kuqezinjëve është lavdëruar edhe nga trajneri Ernest Gjoka, i cili vlerëson maksimalisht sulmuesin përkundër mungesës së golave në këtë fillim sezoni. “Është lojtarë shumë i rëndësishëm, cilësi e madhe për skuadrën, lider i vërtetë kontributi i të cilit është shumë i madh, përkundër faktit se në këtë periudhë nuk ka mundur të shënojë ashtu si ka bërë sezonet e shkuara. Ndoshta momentalisht ndjehet një bllokazhë para golit, por une e vlerësoj kontributin e tij dhe ardhja e golave është çështje e momentit”, deklaron për “InfOSport” trajneri i Shkëndijës, Ernest Gjoka.

“Ndeshjen e xhiros së 12-të e presim me atmosferë shumë të mirë, posaçërisht pas triumfit bindës të mesjavës me Sileksin. Tani duhet të tregojmë se jemi përmirësuar dhe kundër Maqedonija Gj.P. synojmë tre pikë. Shpresoj në fitore dhe unë të kontribuoj me gol, por edhe nëse unë nuk gjej rrejtën ndërkohë që të marrim fitoren do të jem shumë i kënaqur, sepse për mua gjithmonë ekipi mbetet në plan të parë”, tha në fund Besart Ibraimi.

Takimi Makedonija Gj.P.-Shkëndija luhet të dielën në Shkup me fillim në orën 13:30.

Leave a Reply