Barcelona nuk bind, por merr 3 pikë ndaj Leganes (VIDEO)

Barcelona nuk bindi, por megjithatë nga transferta në Leganes u rikthye me 3 pikë të plota, që njëherit ishte edhe piksynimi i “katalunasve” para  fillimit të takimit! Skuadra e trajnerit Valverde mundi Leganesin me rezultatin 2:1, mirëpo futbollistët “blaugrana” sot nuk dhuruan shumë spektakël në fushë.

Trajneri Ernesto Valverde e nisi ndeshjen me 4 sulmues, pasi Messi, Suarez, Griezmann dhe Dembele u hodhën nga minuta e parë në fushë.

Ndeshja nuk nisi mirë për “katalunasit”, pasi vendasit gjetën golin me anë të En Nesyrit vetëm pas 12 minutave lojë. Sulmuesi gjeti rrjetën me një supergol për të shtangur mbrojtjen e kampionëve dhe portierit Ter Stegen.

Ky gol rezultoi të jetë i vetmi i shënuar gjatë 45 minutave të para, ndërsa në pjesën e dytë Barcelona u rikthye në identitet, duke përmbysur rezultatin dhe duke marrë fitoren e 9-të sezonale në 13 javë kampionat.

Luis Suarez në minutën e 53-të shënoi golin e barazimit për Barcelonën, kur dërgoi topin në rrjetë pas një krosi të Lionel Messit, teksa golin e fitores e shënoi Arturo Vidal në minutën e 79-të.

Kiliani dërgoi në rrjetë një top të lënë në zonë nga një goditje dënimi. Gjyqtari e pa rastin me VAR dhe e quajti golin të rregullt. Barcelona me këtë fitore merr e vetme kryesimin në La Liga me 28 pikë, 3 më shumë se Reali i Madridit, skuadër kjo që ndeshjen e javës së 13-të do ta zhvillojë më vonë kundër Real Sociedadit në “Santiago Bernabeu”.

Leave a Reply