E bujshme, Shkëndija në bisedime me ish reprezentuesin e Shqipërisë!

Shkëndija e Tetovës është gati që në rradhët e veta të transferojë një ish reprezentues të Shqipërisë, i cili vjen nga Maqedonia e Veriut. Siç mëson “infOSport.mk”, kampionët në fuqi të vendit kanë nisur bisedimet me Valon Ahmedin, i cili së fundmi ishte pjesë e skuadrës kroate të Inter Zapreshiq.

Lajmin për portalin tonë e konfirmoi vetë futbollisti Ahmedi, i cili nuk fshehu kënaqësinë për një interesim të këtillë, mirëpo njëkohësisht duke theksuar se në adresë të tij ka interesim edhe nga skuadra të tjera europiane.

“Po është e vërtetë se jemi në bisedime me Shkëndijën. Më kanë kontaktuar nga kryesia, mirëpo mund të them gjithashtu që ka interes edhe nga shumë skuadra të tjera jashtë Europës, por edhe nga Izraeli. Do shikojmë si do rrjedhin gjërat në vazhdim. Për mua Shkëndija është dhe mbetet histori e shqiptarëve në vendin tonë, kështu që nëse Zoti e shkruan ti bashkohem kësaj skuadre, me siguri se do të ishte privilegj për mua” – tha enkas për “infOSport.mk”, Valon Ahmedi, i cili ka një karrierë të bujshme, që kishte nisur nga Italia, e më pas të vazhdojë edhe në Slloveni, Izrael dhe së fundmi në Kroaci.

Ahmedi edhe pse është me origjinë nga Kërçova, ai asnjëherë nuk ka luajtur në futbollin tonë vendor.

“Po, do ishte hera e parë që do luaja në vendlindje, kuptohet nëse arrijmë gjuhë të përbashkët me Shkëndijën, aty ku do kisha më shumë përkrahje, pasi të familjes jetojnë këtu dhe vendlindja nuk barazohet me asnjë vend tjetër” – deklaroi Ahmedi, i cili numëron edhe dy paraqitje me ekipin “A” të kombëtares shqiptare.

Ai gjithashtu ishte pjesë edhe e Shqipërisë U21, për të cilën në dy ndeshje kishte realizuar 1 gol, ndërsa me “kuqezinjtë” e U19 kishte regjistruar 7 ndeshje dhe 2 gola.

Ndryshe bëhet fjalë për një futbollistë fantazist, që luan menjëherë pas sulmuesve, ndërsa periudhën e tij më të mirë e kishte kaluar me ekipin e Celje, prej ku më pas erdhi edhe transferimi te gjigandët slloven të Mariborit, me të cilën skuadër kishte fituar titullin kampion dhe Kupën e Sllovenisë, ndërsa gjithashtu kishte luajtur edhe në ndeshjet në grue të Ligës së Kampionëve (4 ndeshje,  3 titullarë dhe 1 si zëvendësues).

Përveç tyre, ai gjatë karrierës së tij kishte veshur edhe fanellën e Ironi Kiryat Shmona në Izrael si dhe FC Südtirol në Itali.

 

Leave a Reply