Vllaznia e Shkodrës, pjesë e së cilës nga ky muaj do të jetë edhe ish futbollisti i FC Shkupit, Mevlan Adili, ka shënuar fitore 2:0 në përballjen miqësore ndaj Struga Trim Lum, njofton “infOSport.mk”.
Ndeshja në fjalë u zhvillua në Ohër, aty ku skuadra shkodrane po zhvillonë mini fazën përgatitore në prag të ndeshjeve të pjesës së dytë të kampionatit në Superligën shqiptare.
Për ekipin shkodran që udhëhiqet nga ish seleksionuesi i përfaqësueses së Maqedonisë, Mirsad Jonuz, ishte kjo miqësorja e dytë, pas asaj ndaj Pogradecit, ndërsa për Struga Trim Lum, e para nga gjithsej 5-6 miqësore që ka paraparë trajneri Jeton Beqiri.
Shtubina në minutën e 33-të dhe Mali në të 75-tën shënuan golat për skuadrën shkodrane, për të cilën gjithashtu përveç Mevlan Adilit, luajtën edhe Simeon Hristov dhe Filip Gligorov.
Kujtojmë Struga Trim Lum me 21 janar do të udhëtojë drejt tokës turke , ku pritet të zhvillojë të paktën 4 miqësore me kundërshtarë të fortë, ndërsa në Strugë pritet të rikthehen me datë 5 shkurt.