Vedat Muriqi mungon ndaj Moldavisë dhe Greqisë, por rikthehet kundër Maqedonisë

Përfaqësuesja e Kosovës do të jetë e hendikepuar për dy ndeshjet e para të shtatorit në Ligën e Kombeve, kjo pasi nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e sulmuesit Vedat Muriqi. Sulmuesi i Fenerbahçes nuk do të mund të ndihmojë ekipin “dardan” kundër Moldavisë më 3 shtator në Parma të Italisë dhe kundër Greqisë në Prishtinë më 6 shtator.

Por  ndihmës trajneri i përfaqësueses së Kosovës, Muharem Sahiti,  ka thënë se Muriqi pritet të jetë i gatshëm për ndeshjen më të rëndësishme të Kosovës, atë ndaj Maqedonisë së Veriut, e vlefshme për gjysmëfinalen e Ligës së Kombeve për edicionin 2019/2020.

Kjo ndeshje do të zhvillohet në Shkup në muajin tetor, ndërsa skuadra fituese do të përballej me fituesin nga përballja tjetër gjysmëfinale, Bjellorusi-Gjeorgji.

Fituesi i përgjithshëm i “play-off” do ta sigurojë biletën për në Kampionatin Europian, që është shtyrë shkaku i pandemisë së koronavirusit, për verën e vitit të ardhshëm.

Leave a Reply