A ka kush e ndalë këtë Shkëndijë, 16 ndeshje pa humbje (VIDEO)

Shkëndija edhe pas xhiros së 16-të vazhdon të mbetet e pamposhtur, teksa sot në Tetovë me fitoren 2:0 ndaj Bellasicës regjistroi fitoren e 10-të sezonale, njofton “infOSport.mk”.

Edhe pse “kuqezinjtë” ishin favoritë absolut në këtë takim, fillimi i ndeshjes solli lojë të qetë, me Shkëndijën që kishte iniciativë në terren, por pa mundur të krijojë ndonjë mundësi më serioze për gol, ndërkohë që mysafirët të tërhequr në mbrojtje shansin e tyre e kërkonin në kundërzbritje.

Momentet më të interesante të pjesës së parë ndodhën në minutat e fundit, kur Ibraimi u kanos në dy raste, mirëpo pa mundur të mposhtë portierin Gjorgiev, i cili megjithatë kapituloi në minutën e 45-të, kur Egzon Bejtullai me një super realizim me kokë shënoi për epërsinë e Shkëndijës.

Pjesa e dytë solli futboll të hapur në terrenin e rëshqitshëm për lojë, pasi miqtë kërkonin barazimin, ndërsa Shkëndija golin e dytë që do të mbyllte ndeshjen. Kështu pas saktësisht një ore lojë, “kuqezinjtë” i’a arritën qëllimit, duke gjetur golin e dytë me të zakonshmin Besart Ibraimi, i cili përfitoi nga një pasim brenda zonës nga ana e Enur Totres dhe me një të djathtë të fuqishme në tentativën e tij të tretë arriti që të mposhtë portierin mysafir, transmeton “infOSport.mk”.

Deri në fund të ndeshjes Shkëndija kontrollonte ngjarjet në fushë dhe humbi disa mundësi për gol të tretë, ndërsa në fund për të vendosur shenjë në këtë triumf u përkujdes edhe portieri Zahov që me një intervenim të shkëlqyeshëm ruajti të paprekur portën për të tretën ndeshje me rradhë, kur fitoi duelin ballë për ballë me Ivanoskin. Në fund fitore për Shkëndijën që tashmë në konton e saj numëron 36 pikë, 4 më shumë se dy ndjekësit më të afërt, FC Shkupi dhe Makedonija GJ.P.

Leave a Reply