Hebaj premton shumë gola për Shkëndijën dhe “Ballistët”

Rubin Hebaj tashmë mendon si “kuqezi”. Sulmuesi 22 vjeçar është goditja e parë e merkatos së janarit te Shkëndija, skuadër kjo që e prezantoi atë gjatë ditës së sotme. Hebaj me “kuqezinjtë” nga Tetova ka firmosur kontratë për dy vite e gjysmë, ndërsa i njëjti në prononcimin e tij të parë për kanalin zyrtarë të klubit ka premtuar shumë gola.

“Besoj që nuk mund të jap premtim, por mund të them që do të bëj më të mirën për klubin, do të mundohem të shënoj sa më shumë gola, sepse roli im është sulmues normal dhe ekipi të arrijë sa më lartë me golat dhe paraqitjen time. Besoj pjesa tjetër do ngelet ta tregoj në fushë.” – u shpreh Hebaj, i cili foli edhe për tifozët e mrrekullueshëm të skuadrës së tij të re, “Ballistët”.

“Kush si njeh ‘Ballistët’!? Edhe kur kam pa Shkëndijën, por edhe kombëtaren i kam ndjek dhe kam pa atë frymëzimin si një dëshirë që një ditë të luaj për klubin për të cilin ata bënin tifo. Shpresoj që sa më shpejtë kjo periudha e pandemisë që të kthehen tifozët në stadium, të na mbështesin dhe të na japin atë ndjenjën e ‘lojtarit të 12-të’.” – u shpreh Hebaj, që beson shumë edhe tek titulli kampion në fund të sezonit me Shkëndijën, ashtu siç bëri edhe me Partizanin dy vite më parë.

“Besoj shumë, sepse Shkëndija ka disa vite që është në majat e futbollit në Maqedoni dhe kam shumë besim që do arrijmë objektivat e klubit.” – përfundoi Hebaj, i cili te Shkëndija erdhi nga rradhët e Teutës, me të cilën skuadër ditë më parë shkëputi kontratën.

Ndryshe Hebaj kontratën e parë profesionale e kishte firmosur në vitin 2015 me skuadrën e qytetit të tij, Vllazninë, për të kaluar dy vite më vonë (2017) në Slloveni te skuadra e NK Domzhale.

Në sezonin 2018/2019 sllovenët e huazuan te Partizani i Tiranës ku me 4 gola ndimoi skuadrën të fitonte titullin e kampionit në Shqipëri, ndërsa menjëherë pas kësaj pasoi kalim nga Domzale te Vorskla në Premier Ligën e Ukrainës. Në janar të vitit të kaluar Teuta e Durrësit e ktheu në Shqipëri ku fitoi Kupën dhe Super Kupën, ndërsa vjen në Tetovë si përforcim për sulmin kuqezi. Shkodrani ka luajtur rregullisht me kombëtaret (U17, U19 dhe U21) e moshave të Kombëtares së  Shqipërisë.

Leave a Reply