Emir Sahiti shkëlqen me dy gola në fitoren e Shibenikut

Emir Sahiti ka luajtur rolin e heroit te Shibeniku, në fitoren 4:0 në transfertën ndaj Lokomotivës, njofton “infOSport.mk”. Ish futbollisti i Rabotniçkit shënoi dy golat e parë, duke qenë një ndër më të dalluarit te skuadra fituese, që me këtë fitore është larguar nga pozitat e poshtme në renditjen tabelare në futbollin elitar kroat.

Ishte kjo hera e parë që Emir Sahiti shënon dy gola në një ndeshje në elitën e futbollit kroat, aty ku po luan që nga vera e vitit 2018-të, kur u transferua nga Rabotniçki te Hajduk Split.

Mirëpo për shkak hapësirave të vogla, i njëjti verën e vitit 2020 u huazua te Shibeniku, për të cilën skuadër në 16 ndeshje ka shënuar 4 gola.

Golin e tij të parë e realizoi pikërisht ndaj skuadrës së tij, Hajdukut, ndërsa një tjetër e kishte realizuar edhe Rijekës.

Emir Sahiti ndaj Lokomotivës luajti deri në minutën e 70-të, ndërsa vendin e tij në ato momente e zuri strugani, Isnik Alimi.

Në anën tjetër te Lokomotiva, titullarë luajti Enis Çokaj, i cili në të 57-tën u ndëshkua me të verdhë, ndërsa nga fillimi i pjesës së dytë në lojë u inkuadrua edhe reprezentuesi shqiptarë, Sherif Kollaku.

Shbeniku pas 16 javëve numëron 16 pikë dhe renditet në pozitën e 7-të, ndërkohë Lokomotiva me 12 pikë mbetet në pozitën e fundit. (infOSport.mk)

Leave a Reply