E bujshme, Shqipëria ndeshjen e Botërorit me Anglinë mund ta fitojë në tavolinë!

Shqipëri-Angli 3:0! Ky mund të jetë rezultati i sfidës së muajit mars mes dy kombëtareve që do të takohen bashkë në kuadër të eliminatoreve për Botërorin e vitit 2022. Një rezultat ky që nuk do të ishte meritë e fushës së lojës, por e vendimeve qeveritare, në rastin konkret të shtetit anglez.

Laburistët po bëhen gati të propozojnë disa ndryshime në ligje sa i përket sigurisë ndaj COVID-19 dhe nëse kalohet në parlamentin britanik ashtu siç është kërkuar, Anglia do ta ketë të pamundur të vizitojë Tiranën, ashtu që mund ta humbasë sfidën në tavolinë pa shkelmuar topin.

Sër Keir Starmer ka propozuar që kushdo që hyn në Angli, në muajt në vijim, të karantinohet për 10 ditë në një hotel. Një propozim që nuk bën përjashtime as për sportistët e elitës, të cilët nëse do të dilnin nga Anglia, në kthimin e tyre do të detyroheshin të përfundonin në karantinë për këtë periudhë kohe.

Në listën e propozuar nga laburistët, janë 33 vende, mes të cilave edhe Shqipëria e kësisoj, udhëtimi drejt tokës shqiptare do të ishte i pamundur për Anglinë, pasi klubet sigurisht që nuk do të linin lojtarët e tyre të ishin pjesë e përfaqësueses e të mungonin në total 3 javë nga stërvitjet.

Leave a Reply