Shkëndija dorëzohet fare në fund përballë gjigandëve ukrainas të Dinamo Kiev (VIDEO)

Shkëndija i ka mbyllur pa asnjë fitore ndeshjet kontrolluese në Antalia të Turqisë, aty ku skuadra “kuqezi” zhvilloi fazën kryesore të përgatitjeve në prag të stinorit pranveror, e ku “kuqezinjtë” si objektiv kryesor kanë titullin kampion, njofton “infOSport.mk”.

Shkëndija sot u përballë me Dinamo Kievin, një ndër skuadrat më të mira ukrainase, që në fund shënoi fitore minimale 1:0.

Golin e vetëm ukrainasit e realizuan në minutën e 85-të, kur Bogdan Lednev mjaft mirë kontrolloi një diagonale në zonën e “kuqezinjëve” dhe pa menduar shumë me të majtën e tij goditi topin, duke e vendosur pas shpinës së Kostadin Zahov.

Ky i fundit në disa raste tjera shpëtoi Shkëndijën, skuadër kjo që në anën tjetër u kanos me anë të Besart Ibraimit dhe Armend Alimit, me goditje nga distanca, ndërsa fare në fund pranë golit të barazimit ishte edhe Valmir Nafiu, i cili pasi pranoi një pasim në zonën kundërshtare nga ana e Rubin Hebaj, goditi me të djathtën e tij, mirëpo në vendin e duhur ishte portieri i Dinamo Kiev.

Kështu Shkëndija në tokën turke pësoi edhe disfatën e dytë, pas asaj ndaj skuadrës tjetër ukrainase të Desna (1:3), derisa të përzgjedhurit e Ernest Gjokës, kishin barazuar me ukrainasit e Zorya (1:1) si dhe me skuadrën e Kaisar (1:1) nga Kazakistatni.

Shkëndija në Antalia të Turqisë pritet të qëndrojë deri me 8 shkurt, sipas planprogramit, duke pasur parasysh se ndeshja e sotme kundër Dinamo Kievit duheshe të zhvillohet nesër. (infOSport.mk)

Leave a Reply