“Xixa” me Bonuçin dhe Anjellin, Konte: Pres më shumë respekt nga Juvja

Ndeshja e kthimit e ½ së finales midis Juventusit dhe Interit nuk prodhoi gola, rezultat që kualifikoi bardhezinjtë e Andrea Pirlos në finalen e madhe të Kupës së Italisë, kjo pasi “Zonja e Vjetër” kishte shënuar fitore 2:1 në ndeshjen e parë të zhvilluar në “Xhuzepe Meaca”.

Polemikat nuk munguan në sfidën e luajtur në Torino, diçka normale duke llogaritur rivalitetin e madh midis dy skuadrave, klubeve dhe tifozërive respektive.

Një kontakt në zonë mes Lautaro Martinez dhe Federiko Bernardeskit solli shpërthimin e stolit zikaltër. Arbitri vendosi të vazhdonte lojën, mirëpo në gjithë këtë situatë nuk mund të përmbahej trajneri i “zikaltërve”, Antonio Konte.

Mirëpo i menjëhershëm ishte reagimi i mbrojtësit “bardhezi”, Leonardo Bonuçi, i cili iu drejtua me këto fjalë ish-trajnerit të tij: “Konte, respekto arbitrin, duhet ta respektosh atë”.

Në fund pati edhe “xixa” mes trajnerit të Interit dhe presidentit të Juves, Andrea Anjelli.

Konte foli shkurtimisht pas ndeshjes, duke mos i kursyer thumbimet ndaj kampit kundërshtar.

“Nuk kam fjalë, thjesht duhet të ketë më shumë sportivitet dhe respekt për ata që punojnë. Te Juventusi duhet të thonë të vërtetën. Arbitri i katërt dëgjoi gjithçka dhe e pa se çfarë ndodhi gjatë gjithë ndeshjes“, deklaroi Konte për “Rai Sport”.

Leave a Reply