Makedonija Gj.P rikthehet tek fitorja, vazhdon kriza e Sileksit (VIDEO)

Makedonija GJ.P ka shënuar fitore minimale 1:0 përballë Sileksit në ndeshjen e vlefshme të javës së 24-të në elitën e futbollit vendor, duke ndërprerë serinë prej 5 ndeshjeve pa fitore, njofton “infOSport.mk”.

Të besuarit e trajnerit Zhikica Tasevski ishin kundërshtarë më i mirë në këtë ndeshje, sidomos gjatë pjesës së parë, kur edhe shënuan golin e avantazhit. Gjithçka nisi nga ana e djathtë me Arbi Voshën, i cili pasoi në afërsi për kapitenin Bobi Bozhinovski, që me shumë klas pasoi brenda zonës për sulmuesin kanadez, Koxho Mavunio, i cili shënoi për 1:0.

Ishte ky goli i parë për sulmuesin e ri të Makedonija GJ.P. në ndeshjen e tij të tretë në elitën e futbollit vendor.

Sulmuesi kanadez në minutën e 35-të pati edhe një mundësi tjetër të artë për të shënuar sërish në rrjetën e Bozhinovskit, mirëpo në ato momente nuk arriti të shfrytëzojë pasimin e saktë të Izet Ajrullahut, futbollistit shqiptarë, i cili luajti titullarë njëjtë sikurse edhe Arbi Vosha dhe Ermedin Adem.

Që të tre bënë një paraqitje shumë të mirë edhe sot përballë Sileksit, skuadër kjo që në pjesën e dytë edhe përkundër dëshirës, nuk arriti që të rrezikojë më konkretisht portierin vendas, Serafimov, i cili pak para fundit të ndeshjes kishte një super intervenim, duke mos lejuar skuadrën nga Kratova që të barazojë shifrat.

Në fund fitore e merituar për Makedonija GJ.P, që vazhdon të mbetet në pozitën e tretë, mirëpo tashmë me 38 pikë, vetëm dy pikë më pak se FC Shkupi i vendit të dytë, që ndeshjen e javës së 24-të do ta zhvillojë nesër kundër Rabotniçkit. (infOSport.mk)

Foto: gol.mk

Leave a Reply