“Mikpritje për Kosovën”, Spanja kërkon ndjesë dhe qetëson presidentin Ademi

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll po bëhet gati për ndeshjet eliminatore të Botërorit  “Qatar 2022”. Dardanët janë pjesë e grupit B, aty ku bëjnë pjesë edhe Spanja, Suedia, Greqia dhe Gjeorgjia. Djemtë e Challandes luajnë ndeshjen e parë në shtëpi kundër Suedisë (28 mars), teksa tre ditë më vonë udhëtojnë drejt Spanjës.

Sfida me skuadrën e Luis Enrique do të luhet në Sevilla. Një lajm i dalë në mediat iberike krijoi shqetësim të madh te Kosova. “Flamuri i Kosovës nuk do të jetë përkrah atij spanjoll në stadiumin andaluzian, ndërsa himni kombëtar i Kosovës do të prezantohet si muzika e dhuruar nga territori i Kosovës“, shkruante e përditshmja Marca.

Diçka e tillë lidhet me faktin që Spanja nuk e ka njohur akoma pavarësinë e Kosovës. Presidenti i FFK-së (Federata e Futbollit të Kosovës), Agim Ademi ka marrë gjatë ditës së sotme një telefonatë nga RFEF (Federata e Futbollit të Spanjës).

Këta të fundit kanë kërkuar ndjesë në lidhje me lajmin e publikuar, teksa i kanë konfirmuar Ademit se ndeshja Spanjë-Kosovë do të zhvillohet konform rregullores dhe protokollit të FIFA-s dhe UEFA-s për ndeshjet zyrtare.

Gjithashtu, RFEF ka shprehur mikpritjen e tyre për përfaqësuesen e Kosovës dhe u tregua e hapur në bashkëpunim për çfarëdo nevoje që mund të ketë FFK-ja.

Ademi, i cili pati një komunikim edhe me zyrtarë të UEFA-s, shprehu respektin dhe besimin e tij ndaj Federatës së Futbollit të Spanjës, dhe shprehu bindjen se do të zhvillohen dy ndeshje shumë të mira si në Sevilja, po ashtu edhe në Kosovë (8 shtator). (abcnews.al)

Leave a Reply