Java e 23-të zhvillohet në dy ditë, e shtuna sjellë vetëm një përballje

Me ndeshjen Rabotniçki – Akademia Pandev starton java e 23-të në elitën e futbollit vendor, njofton “infOSport.mk”. Vendasit ndodhen në një seri prej 5 ndeshjeve pa disfatë, ndërsa në anën tjetër, Akademia Pandev, në ndeshjet e pranverës ka regjistruar 1 fitore, 2 barazime dhe 1 disfatë.

Ndeshjet mes këtyre dy skuadrave të zhvilluara këtë edicion, nuk kanë dhuruar shumë gola dhe spektakël. Një barazim pa gola në ndeshjen e parë në Shkup, dhe një gol në ndeshjen e fundit në Strumicë, në të cilën “romantikët” kishin shënuar fitore minimale 1:0, është epilogu i ndeshjeve të këtij edicioni mes këtyre dy skuadrave, që kanë ambicie të kundërta, njëra për në Europë, e tjetra për mbijetesë.

NDESHJET TJERA – FC Shkupi do të jetë nikoqir i Vardarit, me shpresë se do të arrijë fitoren e parë të këtij edicioni ndaj rivalit të përbetuar, ndërsa Shkëndija ka rastin e mirë që ti hakmerret Pelisterit për disfatën e vetme që i shkaktoi në ndeshjen e fundit të stinorit vjeshtorë.

Struga Trim Lum dhe Renova do të përballen mes vete në Strugë, aty ku vendasit do të kërkojnë fitoren europiane, derisa “gjipspunuesit”, fitoren për mbijetesë.

Në dy ndeshjet e fundit do të shohim ripërsëritjen e ndeshjes së javës së kaluar, Makedonija GJ.P-Sileksi, skuadra këto që u takuan edhe javën e kaluar po në lagjen e Gjorçe Petrovit, aty ku do të zhvillohet edhe ndeshja e së dielës, njëjtë sikurse edhe ndeshja midis Borecit dhe Bellasicës, skuadra këto që u takuan mes tyre në Veles 2 xhiro më parë.

Që të gjitha ndeshjet e kësaj jave do të startojnë në ora 15:00. (infOSport.mk)

LPFMV – Java 23

Rabotniçki 13.03 (15:00h) Ak.Pandev
FC Shkupi 14.03 (15:00h) Vardari
Shkëndija 14.03 (15:00h) Pelisteri
Struga Trim Lum 14.03 (15:00h) Renova
Makedonija GJ.P 14.03 (15:00h) Sileksi
Boreci 14.03 (15:00h) Bellasica

Leave a Reply