Shkëndija kundër Pelisterit për “hakmarrje”!

Shkëndija në rrethin e tretë të garave në Ligën e Parë të Futbollit të Maqedonisë së Veriut futet si favorit në garën për titullin e kampionit, pasi diferenca me ekipin e vendit të dytë është 7 pikë.

Në kuadër të xhiros së 23-të, “kuqezinjtë” në terren vendas do të mirëpresin ekipin më në formë në këtë moment në elitën e futbollit vendor, Pelisterin.

Skuadra nga Manastiri ka shënuar efekt të 100% në tre duelet e fundit, duke mundur Renovën (3:1), Strugën (0:1) dhe Borecin (1:0), ndërsa gjysmësezonin pranveror e nisën me barazim (2:2) në fushë të Vardarit.

Shkëndija disfatën e vetme në këtë sezon e kishte pësuar pikërisht nga Pelisteri që fitonte 0:1 në Tetovë në duelin e fundit të gjysmësezonit vjeshtor dhe ecuria pozitive prej 4 fitoreve dhe një barazimi në 5 duelet e fundit e kanë hequr nga zona e rrezikut skuadrën nga Manastiri që në Tetovë vjen nga pozita e 7-të dhe me 28 pikë të tubuara.

Ndeshja Shkëndija – Pelisteri starton në ora 15:00. (infOSport.mk)

Leave a Reply