Rikthimi te fitorja, trajneri i ri dhe ndeshja me Prishtinën, Muhamed Useini i Gjilanit flet për të gjitha

Skuadra e Gjilanit ka shijuar fitoren e parë pas shtatë ndeshjeve në të gjitha garat, nën drejtimin e trajnerit të ri, Ismet Munishi, i cili ditë më parë e zëvendësoi Bylbyl Sokolin.

“Kuqebardhët” triumfuan me rezultat 2:1 ndaj Trepçës ’89 në kuadër të xhiros së 25-të të Superligës së Kosovës në futboll, teksa golin e vetëm për skuadrën nga Mitrovica e realizoi, shkupjani Sedat Berisha.

Ndërkohë mesfushori tetovar i Gjilanit, Muhamed Useini në një prononcim për “Zeri.info” ka treguar se çfarë iu tha trajneri Munishi para ndeshjes me Trepçën ’89.

“Trajneri na tha vetëm të dalim në fushë dhe ta japim maksimumin nga vetja. Jam i lumtur që u rikthyem te fitoret”, – tha Useini të dielën për “Zeri.info”.

Gjilanin e Munishit e pret një ndeshje e vështirë në xhiron e 26-të në elitën e futbollit kosovar, pasi do të marrin rrugën për në kryeqytet, aty ku i pret FC Prishtina.

“Presim një ndeshje mjaft të vështirë duke e ditur se Prishtina ishte në një formë fantastike. Gjithashtu bëhet fjalë dhe për ekip cilësore, mirëpo ne nuk do jemi të dorëzuar. Do shkojmë për të bërë më të mirën tonë duke dhënë gjithçka nga vetja për të treguar se nuk e meritojmë vendin në të cilin jemi”, – shtoi mesfushori i palodhur i gjilanasve.

Ndryshe, Gjilani ndodhet në vendin e katërt në tabelë me 36 pikë, mirëpo shumë larg vendit të parë që mbahet nga rivalët e Dritës, skuadër kjo që ka 54 pikë.

Leave a Reply