Bomberi Ibraimi rikthehet në identitet, 5 gola në 4 ndeshjet e fundit

Shkëndija me 13-të pikë para FC Shkupit futet në 6-të ndeshjet e fundit kampionale dhe distanca e krijuar premton se së shpejti edhe matematikisht do të mbyllet gara për titullin e kampionit. Kuqezinjtë presin trofeun e 4 kampionë shtetërorë, ndërsa paralel me titullin në taborin kuqezi pritet të vijë edhe një tjetër çmim individual me numrin 4.

Besart Ibraimi, golashënuesi më i mirë në historinë e elitës vendore dhe në historinë e Shkëndijës, duket pranë çmimit “Këpuca e Artë” në LPFMV për edicionin 2020/2021.

Kërçovari deri tani tre herë ka dalë golashënuesi më i mirë i sezonit në elitën vendore, ndërsa edhe këtë sezon udhëheq listën e golashënuesve me 19 realizime në 27 xhiro të zhvilluara.

Bomberi kishte një periudhe krize duke mos gjetur rrjetën në 7-të ndeshje me rradhë, mirëpo duket se kthehet në formë në momentin e duhur duke shënuar në vazhdimësi në katër ndeshjet e fundit gjatë të cilave ka gjetur 5 gola.

Ibraimi shënoi dy gola në fitoren 6:1 ndaj Vardarit, bëri golin e fitores 2:1 ndaj Sileksit, para se të shënonte golin e parë në fitoren 3:0 të dielën e shkuar ndaj Renovës. Ndërkohë serinë e realizimeve e vazhdoi edhe dje, kur pikërisht goli i tij solli tre pikë nga dueli me Akademia Pandevin.

Leave a Reply