E bujshme, klubi shqiptarë nga Mali i Zi sheh me sy ka Europa që në sezonin debutues!

Skuadra shqiptare nga Tuzi, FK Deçiq po kalon një sezon fantastik në elitën e futbollit malazez.

Ata që në sezonin debutues dëshmuan se bëhet fjalë për një skuadër mjaft mirë të organizuar, ndërsa këtë më së miri e dëshmojnë edhe rezultatet e arritura këtë edicion. Pas 29 xhirove të kaluara, FK Deçiq numëron 46 pikë, duke u renditur në pozitën e dytë, menjëherë pas skuadrës së njohur të Buduçnost, që me 72 pikë tashmë ka siguruar edhe titullin kampion.

Deçiq për një vend në Europë do të luftojë me Sutjeskën, skuadër kjo që gjithashtu numëron 46 pikë dhe renditet në pozitën e tretë, mirëpo duke mos harruar këtu edhe Rudarin dhe Podgoricën, që kanë grumbulluar, 41, gjegjësisht 40 pikë. Duke pasur parasysh se vendi i dytë dhe i tretë në Superligën e Malit të Zi sigurojnë një vend për në kualifikimet e Liga Europa, atëherë gjasat janë reale që skuadra shqiptare të shkruajë historinë që në sezonin e saj të parë në mesin e më të mirëve në futbollin malazez.

Vlen të theksohet se te FK Deçiq një lider i vërtetë po tregohet Kristian Vulaj, i cili ka shënuar 10 gola, ndërsa pikërisht paraqitjet e tij të shkëlqyeshme këtë edicion, bënë që ai të marrë ftesë edhe në përfaqësuesen e Malit të Zi, për të cilën debutoi në ndeshjet e marsit. (infOSport.mk)

Leave a Reply