Rikthehen ndeshjet e Ligës së Parë, Struga mirëpret derbin shqiptarë!

Edicioni i 29-të në Ligën e Parë futbollistike po luan etapat e fundit, ku pa dyshim çdo javë e mbetur ka shumë rëndësi për llogaritë dhe pretendimet e 12 skuadrave pjesëmarrëse në kampionat, njofton “infOSport.mk”.

Për shkak të ngjeshjes së kalendarit, java e 30-të luhet në mesjavë me 6 ndeshje interesante. Kjo mund të jetë java perfekte për të treguar se sa mbajnë “gjunjët” e skuadrave për t’u shkuar objektivave deri në fund.

Duke pasur parasysh se çështja e kampionit tashmë është zgjidhur, lufta në këto javë të mbetura do të zhvillohet për dy vendet e mbetura në ndeshjet e Liga Europa dhe gjithsesi ajo e mbijetesës.

Si asnjëherë më parë, 3 ish skuadra kampione Vardari, Renova dhe Sileksi gjenden në një situatë të palakmueshme, duke luftuar për të mbijetuar, ndërsa interesante është bërë gara edhe për një vend në Europë, me FC Shkupin më të avansuar dhe me Struga Trim Lum dhe Makedonija GJ.P, që do të tentojnë deri në fund.

Pikërisht fitorja e madhe në fundjavë e skuadrës strugane ndaj Makedonija GJ.P në Shkup, riktheu fuqishëm Struga Trim Lum për të besuar në ëndërrën europiane, që rifillon që sot me ndeshjen kundër FC Shkupit. Një fitore e skuadrës së trajnerit Zaharievski do të bënte që ata të besojnë edhe më shumë, njëjtë sikurse edhe Makedonija GJ.P, që 4 xhirot e fundit do ti zhvillojë me trajnerin e ri Aleksandar Tanevski.

Me fitore eventuale, edhe Sileksi do besonte më shumë tek mbijetesa, ndërsa më vështirë do ta kenë Renova dhe Vardari, që do jenë mysafir të Akademia Pandev, gjegjësisht Borecit.

Ndërkohë në Shkup, Shkëndija udhëton si kampione e re e vjetër, për tu përballur me Rabotniçkin që vetëm matematika e mban ende në garë për në Europë. (infOSport.mk)

LPFMV – Java 30

Rabotniçki 28.04.2021(13:00h) Shkëndija
Struga Trim Lum 28.04.2021(13:00h) FC Shkupi
Ak.Pandev 28.04.2021(13:00h) Renova
Makedonija GJ.P 28.04.2021(13:00h) Pelisteri
Boreci 28.04.2021(13:00h) Vardari
Bellasica 28.04.2021(13:00h) Sileksi

Leave a Reply