Dashmir Beari merr timonin e përfaqësueses U19 të Maqedonisë

Dashmir Beari është emëruar seleksionues te përfaqësuesja U19 e Maqedonisë, përcjellë “infOSport.mk”.

Bëhet fjalë për ish-trajnerin e disa klubeve në vendin tonë, si Renova, Gostivari, Drita, Vëllazërimi, ndërsa gjithashtu gjatë karrierës së tij prej trajneri kishte udhëhequr edhe përfaqësuesen U15 të Maqedonisë, si dhe kishte luajtur rolin e ndihmës trajnerit te skuadra e Arabisë Saudite, Al Read.

Seleksionuesi i ri do të debutojë në pankinën e përfaqësueses U19 në turneun e Sllovenisë që do të zhvillohet nga 1 deri më 7 shtator. Në turneun miqësor në Slloveni, përkrahë përfaqësueses tonë do të marrin pjesë edhe përfaqësueset si Franca, Rusia, Brazili dhe Arabia Saudite.

“Mundësi e re edhe për mua, por edhe për të gjithë tjerët në ekip. Një falenderim për Federatën e Futbollit të Maqedonisë për besimin e dhënë. Përfaqësuesja U19 është një nga ekipet përfaqësuese të rëndësishme në futbollin e Maqedonisë. Futbollistët zakonisht e marrin potencialin më të madh të reprezentuesit nga kjo përfaqësuese. Do të punojë profesionalisht dhe drejtë. Sigurisht në bashkëpunim me të gjithë trajnerët tjerë dhe seleksionuesit në kategoritë më të reja me qëllim që sa më mirë të përgatitim ekipin. Na presin turne dhe ndeshje të forta, por kjo është një mundësi për përparim të kësaj gjenerate”, – ka deklaruar Dashmir Beari.

Përfaqësuesja U19 e Maqedonisë përkrahë turneut në muajin tjetër në Slloveni do të luajë edhe dy ndeshje kontrolluese me 6 dhe 8 tetor, ndërsa turneun kualifikues për fazën elite për Kampionatin Europian është caktuar për në nëntor në Shqipëri. Përfaqësuesja jonë është në grup me nikoqirin Shqipërinë, Francën dhe Serbinë.

Leave a Reply