Super derbi Shkëndija – FC Shkupi mbyllet pa fitues (VIDEO)

Super derbi i javës së 6-të në elitën e futbollit vendor midis Shkëndijës dhe FC Shkupit është mbyllur me barazim pa gola, njofton “infOSport.mk”. Dy skuadrat kryesore pretendente për titullin e kampionit zhvilluan një super ndeshje, me raste të mira për gol, mirëpo që në fund ishin portierët ata që morrën vëmendjen dhe nuk lejuan që portat e tyre të tunden.

Ndeshja filloi me matjen e forcave, ndërsa me kalimin e kohës të dyja skuadrat tentonin të bënin diç më tepër, mirëpo pa ndonjë rrezik të madh për portat respektive.

Në minutën e 34-të Shkëndija, arriti të gjejë golin me anë të Zija Merxhanit, mirëpo i njëjti u anulua me të drejtë për shkak pozitës jashtë loje.

Fundi i pjesës së parë doli të jetë më i mirë për vendasit e Shkëndijës, të cilët kanoseshin në vazhdimësi, duke bartë peshën e lojës në gjysmëfushën e mysafirëve, teksa rastin më të mirë për të shënuar e pati Dashmir Elezi, kur goditi vetëm mbi portë.

Fillimi i pjesës së dytë nisi me një tentativë të Alvarez të FC Shkupit nga një distancë e largët dhe rastin e Dashmir Elezit, i cili edhe pse doli të jetë më i shpejtë se portieri Naumovski, nuk arriti që të mposhtë këtë të fundit.

Në minutën e 50-të Armend Alimi nga brendia e zonës vuri në mjaft vështirësi portierin mysafir, i cili me një intervenim bravuroz devijoi topin në rivënie nga këndi.

Në minutën e 57-të trajnerët e të dyja skuadrave vendosën që të bëjnë nga dy zëvendësime. Te Shkëndija në lojë u inkuadruan Arbër Shala dhe Lupço Doriev në vend të Rubin Hebajt, gjegjësisht Dashmir Elezit, derisa te FC Shkupi Cvetanoski zëvendësoi kamerunasin Damilare, ndërkohë Trapanovski algjerianin, Hamidi.

Doriev u shfaq menjëherë i rrezikshëm me inkuadrimin e tij, teksa vetëm pas 3 minutave të kaluara në fushë bëri një super asist për Bruno Ditën, i cili edhe pse doli i vetmuar para Naumovskit, nuk arriti që të shënojë golin e avantazhit.

Në minutuën e 73-të, Matej Cvetanoski ishte shumë afër golit, mirëpo goditja e tij nga distanca përfundoi vetëm në traverzë, duke bërë që Zahov në ato momente të buzëqesh.

Në minutën e 84-të vendasit protestuan për një penalti, pasi rezrvisti Nafiu kishte rënë në zonën kundërshtare pas një dueli me Senghor, mirëpo sipas arbitrit Stojçevski dhe ndihmësit të tij Vasilevski, këtu nuk bëhej fjalë për një goditje dënimin nga pika e bardhë. Si rezultat me të verdhë pas gjithë atyre protestave u ndëshkua Lupço Doriev.

Është ky barazimi i tretë me rradhë midis Shkëndijës dhe FC Shkupit në stadiumin e Tetovës, pas atyre dy paraprak (1:1), barazim ky që Shkëndijën e mban larg pozitace të para, ndërkohë FC Shkupi me 11 pikë renditet në pozitën e tretë, menjëherë pas Akademia Pandev (13) dhe Struga Trim Lum (12). (infOSport.mk)

 

 

Leave a Reply