FC Shkupi me përmbysje mund Ak.Pandev dhe rikthehet në krye  të renditjes  (VIDEO)

FC Shkupi ka mundur me shifrat 3:1 Ak. Pandevin në ndeshjen e fundit të javës së 8-të në Ligën e Parë, njofton “infOSport.mk”. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Bllagoj Istatov” në Strumicë dhuroi 3 penalti dhe shumë luftë, në përgjithësi në mesin e fushës, teksa fitoren skuadra nga Çairi e siguroi vetëm në minutat e fundit të takimit, edhe atë me dy penalti të transformuara në gol nga ana e Fredi Alvarez.

Pas pjesës së parë pa gola, Ak. Pandev në minutën e 50-të me anë të Martin Mirçevskit kaloi në epërsi. Golashënuesi më i mirë i deritanishëm në elitën e futbollit vendor ishte i saktë nga një penalti e dyshimtë, për të cilën protestoi ashpër edhe trajneri i “pëllumbave” nga Çairi, Goce Sedlloski, që u ndëshkua me të verdhë nga ana e arbitrit, Aleksandar Stavrev.

Goli i Mirçevskit ishte valid deri në minutën e 78-të, kur në skenë doli rezervisti Marko Gjorgjievski.

Sulmuesi i U21 të Maqedonisë shfrytëzoi një gabim në mbrojtjen e Ak.Pandev dhe nga afërsia me shumë qetësi mposhti për herë të parë në këtë ndeshje Marko Jovanovskin.

Pas këtij goli të barazimit, FC Shkupi vazhdoi të sulmojë në kërkim të golit të dytë, që erdhi vetëm në minutën e 87-të, pas një penaltie të akorduar nga Stavrev në favor të ekipit shkupjan.

Përgjegjësinë për të ekzekutuar këtë 11-të metërsh e morri Fredi Alvarez, i cili nuk gaboi dhe për herë të parë në këtë takim solli në epërsi skuadrën e FC Shkupit.

Këtë gol Alvarez e festoi bashkë me “Shvercerat” që kishin udhëtuar drejt Strumicës për të përkrahur skuadrën e tyre të zemrës, ndërsa i njëjti futbollistë vlen të përmendet se në minutën e fundit të takimit, sërish nga penaltia shënoi edhe golin e tretë për FC Shkupin, skuadër kjo që në këtë mënyrë merr kryesimin sërish në elitën e futbollit vendor. (infOSport.mk)

Leave a Reply