Broja flet për BBC: Këtë e kisha ëndërruar që kur isha 3-vjeç

Armando Broja të shtunën realizoi golin e tij të parë në Premierligë në ndeshjen e parë të nisur si titullar me Sauthemptonin. Sulmuesi i kombëtares shqiptare realizoi gol përballë Lids Junajtedit, gol ky që në fund doli të jetë i mjaftueshëm për fitoren e Sauthemptonit në ndeshjen e e vlefshme të javës së 8-të.

Armando Broja, i cili është në pronësi të Çelzit theu edhe një rekord, pasi u bë lojtari më i ri i klubit që shënon gol në dubutimin e tij si titullar.

Pas ndeshjes ylli shqiptar foli për BBC ku u shpreh shumë i lumtur  për golin e tij të parë në elitën e futbollit anglez, duke plotësuar kështu një ëndërr të fëmijërisë së tij.

“Ishte e jashtëzakonshme të luaja për herë të parë në formacionin e parë në Premierligë, pasi e kisha ëndërruar këtë moment që kur isha tre vjeç. Të shënoja në ndeshjen e parë si titullar, është një ëndërr e bërë realitet për mua, pasi nuk mund të kërkoja për më mirë. Jam në një moment mjaft të bukur të karrierës dhe shpresoj që të vijnë të tjerë akoma më të bukur, me shumë gola. Ishim duke kërkuar fitoren e parë dhe jam shumë i lumtur që e morëm këtu, para tifozëve tanë të mrekullueshëm. Ajo që bëri Redmond ishte e jashtëzakonshme, një vrapim fantastik dhe një pasim perfekt”, – deklaroi Broja.

Leave a Reply