Prishtina e Ramadanit mundet edhe nga Llapi, derbi Gjilani-Ballkani mbyllet me barazim

Të shtunën në elitën e futbollit kosovar u zhvilluan 3 përballje mjaft interesante. E gjithë vëmendja ishte e përqëndruar në Gjilan, aty ku skuadra vendase e Gjilanit, e udhëhequr nga Ismet Munishi mirëpriti Ballkanin, njofton “infOSport.mk”. Ndeshja në fjalë u mbyll me barazim 1:1, me Gjilanin që avansoi falë golit të Gerhard Prognit. Ky gol u realizua në minutën e 57-të, vetëm një minutë pasi Musolli u ndëshkua me të kuq. Barazimin skuadra nga Suhareka e arriti në minutën e 64-të me anë të Nazmi Gripshit.

Dukagjini falë golave të shënuar nga Bujar Shabani dhe Granit Elezajt në pjesën e dytë, me shifrat 2:0 mundi Malishevën, ndërkohë Llapi bëri befasinë e javës, duke mundur Prishtinën në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Prishtina ishte shumë pranë fitores, pas atij goli të Besnik Krasniqit në minutën e 23-të,  mirëpo minutat shtesë të takimit dolën të jenë të kobshme për skuadrën e Zekirja Ramadanit, që pranoi dy gola në minutat 93 dhe 95.

Autorë të golave për skuadrën nga Podujeva ishin Kastriot Selmani dhe Valmir Veliu.  Kujtojmë të premtën Drita e Ardian Nuhiut barazoi 1:1 në transfertën ndaj Ulipanës, ndërkohë Drenica me shifrat 4:0 mundi Feronikelin. (infOSport.mk)

Leave a Reply