Gostivari dorëzohet në terren vendas, Korabi barazon me Ohrid Lihnidos

Sot në Ligën e Dytë – Perëndim u zhvilluan dy nga tre takimet e anuluara të së shtunës, njëherit javës së fundit të stinorit vjeshtorë, njofton “infOSport.mk”.  Sërish nuk u luajt futboll në Veleshtë, aty ku terreni nuk plotësonte kushtet për të zbritur në fushë Veleshta dhe Sileksi, Korabi në terren vendas barazoi pa gola ndaj Ohrid Lihnidos, derisa në ndeshjen mes skuadrave të Pollogut, Gostivarit dhe Teteksit u shënuan gjithsej 5 gola, derisa në fund fitores iu gëzua skuadra mysafire nga Tetova.

Falë golave të shënuar nga Andrej Janevski (29’) dhe Damjan Masevski (33’), Teteksi brenda 4 minutave krijoi epërsi të dyfishtë ndaj Gostivarit, për të cilën skuadër në minutën e 38-të Sunaj Hasan shënoi golin e parë, duke rikthyer emocionet e takimit.

Në fillimin  e pjesës së dytë trajneri i vendasve, Biroll Topçiu bëri dy zëvendësime të menjëhershme, duke inkuadruar në lojë Bujar Iljazin dhe Lavdrim Skenderin, me këtë të fundit që solli rifreski në repartin ofenziv, megjithatë sërish ishin mysafirët nga Tetova që shënuan të parët edhe në këtë pjesë, këtë herë me anë të futbollistit shqiptarë, Rinor Ajdini, i cili në minutën e 50-të ngriti epërsinë e Teteksit në 3:1.

20 minuta më vonë, Lavdrim Skenderi arriti të shënojë golin e dytë për Gostivarin, që doli të jetë i fundit, pasi deri në fund vendasit edhe përkundër tentativave të shumta për të barazuar, nuk i’a arritën qëllimit, me ç’rast në fund pësuan disfatën e 6-të sezonale.

Gostivari me 17 pikë, stinorin vjeshtorë e mbylli në pozitën e 6-të, ndërkohë Teteksin me 21 pikë në fund u rendit në pozitën e katërt, duke lënë pas vetes me një pikë më pak Korabin. (infOSport.mk)

Leave a Reply