Visar Musliu nga Hungaria transferohet në Gjermani!

Reprezentuesi i Maqedonisë së Veriut, Visar Musliu karrierën e tij do ta vazhdojë në Gjermani, tek skuadra e Ingolshtad. Kështu thonë burime të Televisionit Shenja, sipas të cilëve ish-futbollisti i Shkëndijës së Tetovës ka nënshkruar kontratë me gjermanët për dy vite e gjysmë.

Musliu te skuadra e Ligës së Dytë gjermane do të transferohet nga skuadra hungareze e Mol Fehervar, te e cila skuadër ishte transferuar gushtin e vitit 2019-të nga rradhët e Shkëndijës.

Me Mol Fehervara, Musliu kishte zhvilluar 77 ndeshje duke shënuar edhe 3 gola. Gostivarasi me Shkëndijën e Tetovës fitoi tre trofe, dy kampionate dhe 1 Kupë, ndërkaq me Vardarin siguroi grupet e Liga Europës.

Musliu në kampionatin vendor ishte pjesë edhe e Renovës ku në 33 ndeshje të zhvilluara arriti të shënojë 4 gola. Ndryshe Musliu ishte pjesë e kampionateve evropiane me shpresat e Maqedonisë së Veriut dhe përfaqësuesen A, për të cilën numëron plotë 40 paraqitje.

Leave a Reply