Zhiru heroi i Milanit, dy golat e tij mposht i vetëm Interin (VIDEO)

Një betejë spektakolare është zhvilluar sonte në “Xhuzepe Meaca”, aty ku në fund “kuqezinjtë” e Milanit arritën të festojnë, pasi me një përmbysje spektakolare mundën Interin me rezultatin 2:1.

Olivier Zhiru ka qenë heroi i “kuqezinjëve”, pasi brenda tre minutave shënoi dy gola, duke i siguruar skuadrës së tij një fitore shumë të madhe.

Interi ishte skuadër më e mirë gjatë pjesës së parë, kur edhe kaluan në epërsi me anë të kroatit Ivan Perishiç, mirëpo në vetëm 3 minuta ndodhi përmbysja e madhe, që njëherit rihapi edhe kampionatin italian të futbollit.

“Zikaltërit” nisën më mirë takimin, duke gjetur rrugën e rrjetës shumë shpejtë me anë të Dumfries, por goli i holandezit u anulua për shkak të një pozicioni të parregullt të Perishiç.

Interi vazhdoi të këmbëngul, por Manjan është në formë të shkëlqyer dhe bën mrekullinë, duke pritur gjuajtjen e Brozovic dhe më pas atë të Dumfries.

Milani tentoi të reagojë dhe i afrohet golit me Tonalin, por kësaj radhe është Handanoviç, ai që bën një pritje të shkëlqyer.

“Zikaltërit” provojnë me Lautaron, por gjuajtja e argjentinasit nxirret në rivënie nga këndi nga Manjan. Çalhanoglu ekzekuton rivënien nga këndi dhe Perishiç dërgon topin në rrjetë. Zhbllokohet derbi dhe Interi mbyll në avantazh 1:0 pjesën e parë.

Pjesa e dytë nis më e qetë. Milani rrit ritmin e lojës, por Interi është më i rrezikshëm në kundërsulm. Dy teknikët bëjnë disa zëvendësime, që ti japin frymëmarrje skuadrave respektive. Mungojnë rastet e pastra, por Milani arrin të gjejë golin e barazimit me anë të francezit, Olivie Zhiru, që shtyn drejt rrjetës një top të devijuar në zonë.

Francezi bën të fluturojnë tifozët e Milanit, pasi pas tre minutash shënon edhe golin e dytë, që përmbys ndeshjen dhe kalon “kuqezinjtë” në avantazh.

Një përmbysje e çmendur e Milanit, që rihap kampionatin italian, pasi tashmë diferenca mes dy skuadrave është zvogëluar në vetëm një pikë, ndonëse Interi ka një ndeshje me pak.

Leave a Reply