Çelzi i vendos çmimin stratosferik Armando Brojës

Çelzi nuk e ka vendosur ende të ardhmen e Armando Brojës dhe do të presë deri në verë për të parë se çfarë është më e mira në interesin e klubit. Por, çdo ditë nuk mungojnë zërat për një rikthim të talentit shqiptar në “Stemford Brixh” në fund të sezonit, megjithatë as ata që e shohin larg skuadrës së Tomas Tushelit sulmuesin 20-vjeçar.

Sipas “Evening Standard”, tekniku gjerman, pavarësisht se e vlerëson shumë atë që po bën Armando këtë sezon me ekipin e Sauthempton, mund të detyrohet ta shesë atë në verë. Madje, jo vetëm sulmuesin, por edhe produktin tjetër të akademisë së bluve, Faustino Anjorin.

Çelzi po vlerëson vështirësitë financiare që i kanosen klubit pas sanksioneve me të cilat mund të përballet pronari i klubit, Roman Abramoviç.

Tushelit i është premtuar se ai do të mbështetet financiarisht në merkaton e verës, por një pjesë e këtij investimi do të mbulohet nga shitjet, në mënyrë që tekniku gjerman të ketë mundësi të bëjë blerjet e tij.

Ai dëshiron një qendërmbrojtës dhe Kunde i Seviljes mbetet objektivi kryesor.

Çelzi theu rekordin e transferimit të klubit kur bleu Romelu Lukakun në verë nga Interi për 97 milionë sterlina.

Por ky investim u bë vetëm pasi u arkëtuan mbi 100 milionë sterlina nga shitjet e Temi Abrahamit, Kurt Zumasë dhe Fikajo Tomorit.

Abramoviç u tërhoq nga drejtimi i klubit pas nisjes së luftës mes Rusisë dhe Ukrainës dhe qarkullojnë zëra se për të shmangur sanksionet e mundshme që mund të jenë shkatërruese për financat e tij, nuk përjashtohet që ta shesë klubin.

Vlera e Çelzit në merkato përflitet rreth 1.5 miliardë sterlina.

Në këtë moment delikat, manjati rus mendon se blutë duhet të nisin të vetëmenaxhohen më mirë. Dhe shitjet e Brojës dhe Anjorinit (talentit tjetër 20- vjeçar të bluve), mund të sjellin deri në 50 milionë sterlina në arkat e klubit sipas “Evening Standard”.

Leave a Reply